Evakuimi masiv i qyteteve në të gjithë Lindjen e Mesme mund të jetë i nevojshëm “nëse sulmohen centralet bërthamore”

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore(IAEA), Rafael Grossi, ka paralajmëruar se evakuimi masiv i qyteteve në Lindjen e Mesme mund të bëhet i nevojshëm nëse centralet civile bërthamore sulmohen, duke shkaktuar përhapje radiologjike.

Deklarata u bë të hënën gjatë hapjes së mbledhjes tremujore të bordit të IAEA-s.

Grossi shprehu frustrim që marrëveshja midis SHBA-së dhe Iranit mbi programin bërthamor të Iranit nuk u arrit gjatë bisedimeve të fundit, ku ai kishte dhënë mbështetje teknike. Ai theksoi se diplomacia është e vështirë, por nuk është kurrë e pamundur, dhe se përdorimi i forcës është gjithmonë opsioni më pak i preferuar.

“Jam i bindur se zgjidhja e qëndrueshme e këtij konflikti të gjatë qëndron në tryezën diplomatike. Kur bëhet fjalë për çështjet bërthamore, kuptimi i qartë i përmbajtjes dhe verifikueshmërisë së çdo marrëveshjeje është thelbësor,” tha Grossi.

Duke vlerësuar ndikimin e përshkallëzimit të luftimeve në Lindjen e Mesme, ai paralajmëroi për një mundësi të përhapjes radiologjike me pasoja serioze, përfshirë nevojën për të evakuuar zona të mëdha, sa qytetet kryesore ose më shumë.

Ai theksoi se situata aktuale është shumë shqetësuese, pasi Irani dhe disa vende të tjera të rajonit që kanë pësuar sulme ushtarake kanë centrale bërthamore operative, reaktorë kërkimorë bërthamorë dhe zona magazinimi të karburantit bërthamor, duke rritur rrezikun për sigurinë bërthamore.

Grossi përmendi se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë katër reaktorë bërthamorë aktivë, Jordania dhe Siria kanë reaktorë kërkimorë bërthamorë, ndërsa Bahreini, Iraku, Kuvajti, Omani, Katari dhe Arabia Saudite gjithashtu kanë pësuar sulme dhe përdorin aplikime bërthamore në disa forma. Ai bëri thirrje për kujdes maksimal në të gjitha operacionet ushtarake.

Duke diskutuar instalimet bërthamore të Iranit, Grossi tha se “nuk ka asnjë tregues se ndonjë objekt bërthamor, përfshirë centralin bërthamor të Bushehrit, reaktorin kërkimor të Teheranit apo facilitetet e tjera të ciklit të karburantit, janë dëmtuar apo goditur”, raporton The Guardian.

Ai shtoi se përpjekjet për të kontaktuar autoritetet iraniane bërthamore vazhdojnë, por deri tani nuk ka pasur përgjigje.

Nuk ka shenja se objektet bërthamore të Iranit janë dëmtuar pas sulmeve, thotë Grossi

 

Të fundit nga rubrika