Në ditën e katërt të luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, situata në Lindjen e Mesme vazhdon të përshkallëzohet me sulme të reja dhe kërcënime për zgjerim të konfliktit.
Ushtria izraelite ka nisur një valë të re sulmesh ajrore që i cilëson si “të gjera” ndaj objektivave ushtarake në Teheran dhe Bejrut.
Janë lëshuar paralajmërime për evakuim në pjesë të jugut të Libanit.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Liban, 52 persona janë vrarë nga sulmet izraelite, ndërsa qindra banorë të Bejrutit janë detyruar të strehohen në strehimore. Izraeli ka deklaruar se operacionet do të vazhdojnë derisa kërcënimi nga Hezbollahu të “eliminohet plotësisht”.
Goditje ndaj ambasadës amerikane dhe bazës në Bahrein
Ambasada amerikane në Riad është goditur nga dy dronë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Arabisë Saudite, duke shkaktuar një zjarr të kufizuar dhe dëme të vogla materiale.
Ndërkohë, media shtetërore iraniane raporton se është shkatërruar një ndërtesë komanduese në një bazë ajrore amerikane në Bahrein.
Një zyrtar iranian ka kërcënuar se do t’i “vërë flakën” çdo anijeje që tenton të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimin global me energji. Çdo bllokim i kësaj zone do të kishte pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të naftës dhe gazit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar se “goditjet më të forta ndaj Iranit ende nuk kanë ardhur”, duke shtuar se nuk do të zbulojë detaje taktike.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se vendimi për të nisur luftën ishte “mundësia e fundit dhe më e mirë” për të eliminuar “kërcënimet” nga Teherani. Sipas raportimeve, sulmet e së shtunës nga SHBA dhe Izraeli kanë vrarë Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Që nga fillimi i luftës, gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë. Tre avionë luftarakë amerikanë u rrëzuan në Kuvajt në një incident të dyshuar si “zjarr miqësor”, por ekuipazhet mbijetuan, raporton BBC.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se nuk beson në “ndryshimin e regjimit nga qielli”, por ka lejuar SHBA-në të përdorë bazat ushtarake britanike për sulme që i cilësoi si “mbrojtëse” ndaj objekteve raketore iraniane.