Besian Mustafa, nga radhët e LDK-së ka deklaruar se deri më tani nuk ka asnjë emër të propozuar për president të vendit, duke theksuar se zgjidhja nuk mund të arrihet pa Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Mustafa tha se në takim morën pjesë 15 deputetë dhe qëndrimi i përbashkët ishte se vendi duhet të shmangë zgjedhjet.
“Partia në pushtet ka 66 ulëse në Kuvend dhe në asnjë format kjo gjë nuk bëhet pa ta. Deri më tani nuk ka një propozim për asnjë emër”, ka deklaruar Mustafa.
Ai ka theksuar se LDK është e gatshme të kontribuojë në dy drejtime për zgjedhjen e presidentit, përmes një konsensusi të gjerë politik me një kandidat të përbashkët nga të gjitha partitë, ose përmes një marrëveshjeje politike klasike mes pushtetit dhe LDK-së.
Ai ka shtuar se LDK mbetet e hapur për takime të tjera deri më 5 mars, që është afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, me shpresën që do të arrihet një zgjidhje.
“Mund të ketë takime në të ardhmen në këto ditë, kemi pra deri më 5 mars është fati kushtetues, jemi të hapur për takime të radhës…por me shpresën që do të kemi një zgjidhje drejt zgjedhjes së presidentit”, ka theksuar ai.
“Duhet të jetë një emër për të cilin pajtohen dy partitë politike”, ka thënë mes tjerash ai.
Grupi Parlamentar i LDK-së mblidhet për ta diskutuar çështjen e presidentit