Gërmimet vlerësuese në Rahovec kanë rifilluar në lokacionin e njohur si “Përzhina”, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Sipas njoftimit, punimet po vazhdojnë në vijim të aktiviteteve të vitit të kaluar, kur në muajin dhjetor ishin realizuar gërmime vetëm në një sektor të zonës dhe ishin zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe disa pjesë kockore.
Për shkak të kushteve të motit dhe faktorëve operacionalë, procesi ishte ndërprerë përkohësisht.
Institucionet kompetente janë rikthyer tashmë në terren, në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim.
Në këtë proces janë të përfshira ekipet mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertë të EULEX-it, si dhe Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektori për Persona të Zhdukur.
Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Sipas njoftimit, numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të konfirmohen pas përfundimit të analizave forenzike.