Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se partia e ka parë me shqetësim zhvillimin e procesit për zgjedhjen e presidentit dhe mbylljen e mundësive për kompromis, duke e quajtur këtë një “rrugë njëkahëshe” që mund të çojë drejt zgjedhjeve të reja, të cilat janë të panevojshme.
“Ky proces paraqet tendencën për të kapur institucionet kryesore në vend. Ne kemi dhënë gjithçka si parti dhe kemi provuar t’i japim vendit zgjidhje duke ofruar mundësinë e dialogimit”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Ajo ka theksuar se gjatë këtyre diskutimeve nuk janë përmendur emrat e Glauk Konjufcës apo Vjosa Osmanit si kandidatë për president.
“Për aq kohë sa emrat nuk janë konsensualë dhe nuk janë dakorduar me një marrëveshje politike, ne nuk marrim pjesë”, ka deklaruar ajo në konferencë për media.
Sa i përket mundësisë që Osmani të rikthehet në LDK, Lushaku-Sadriu ka sqaruar se kjo mbetet vendim i kryesisë së partisë dhe se secili që përfaqëson vlera të njëjta politike është i mirëpritur në “shtëpinë e madhe” të LDK-së.