Në një seancë solemne të Kuvendi i Kosovës, kryetarja Albulena Haxhiu rikujtoi momentet kur shtëpia e familjes Jashari në Prekaz u kthye në qendër të një përballjeje historike.
Haxhiu, gjatë fjalës së saj, tha se tri ditë luftime të Jasharajve nuk ishin thjesht sakrifica personale, por ngjarje që kaluan përmes tyre gjithë historinë e Kosovës, duke shënuar një moment vendimtar për lirinë e vendit.
“Në marsin e vitit 1998 në Prekaz, shpija e Jasharajve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë, një oborr i zakonshëm e mure të ngritura me shumë mund, një prag që hapej e mbyllej cdo ditë për fëmijët që hynin e dilnin, për gra e burra që mbanin familjen dhe shtëpinë. Në agimin e 5 marsit, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe izoluan fshatin dhe zunë pozicione me mjete të blinduara dhe artileri të rëndë – një aparat i tërë shtetëror dhune u përqendrua para familjes Jashari, shtëpia u rrethua, rrugët u bllokuan dhe lëvizja u ndërpre”, u shpreh Haxhiu.
Mes tjerash, Haxhiu tha se sakrifica e Familjes Jashari mbeti jo vetëm dhimbje, por themel i kujtesës dhe qëndresës së kombit tonë.
“Komandati Adem Jashari dhe të gjithë Jasharajt atë ditë e dinin se çfarë dite kishte ardhur, shtëpia që deri dje ishte e zakonshme, u kthye në qendër të një përballjeje që ndryshoi historinë. Në tri ditë luftime e gjithë historia e Kosovës kaloi përmes Jasharajve e qëndresës së tyre. Ata morën mbi vete barrën më të rëndë të kohës – një detyrë të vështirë por shumë të rëndësishme. Gra dhe burra luftuan e qëndruan, çdo krismë u bë betejë për lirinë – lufta e këtyre tri ditëve nuk ishte vetëm për një familje, ishte për një popull që kërkonte të mos dorëzohej, të mos nënshtrohej. Në fund të atyre tri ditëve u vranë të moshuar që kishin parë shumë, burra e gra në moshën e forcës por edhe fëmijë që sapo kishin nisur jetën. Sakrifica e tyre mbeti jo vetëm dhimbje, por themel i kujtesës dhe qëndresës së kombit tonë”, deklaroi Haxhiu.