Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së ligjshmërisë në çështjen penale ndaj Nysret Bytyqit, kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Prizren, dhe ka vendosur ndërprerjen e masës së paraburgimit.
Sipas njoftimit, Bytyqi do të vazhdojë të mbrohet në liri.
Ky vendim ndryshon aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Gjykatës së Apelit, të cilat e kishin caktuar paraburgimin për një muaj për veprën penale falsifikimi i rezultatit të votimit.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se dy instancat e mëparshme nuk kanë dhënë arsyetim të qëndrueshëm lidhur me bazën ligjore për paraburgimin.
“Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të paraqitura në kërkesë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dy instancat më të ulëta gjyqësore, nuk kanë dhënë arsyetim bindës dhe të qëndrueshëm lidhur me ekzistimin e bazës ligjore për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Sipas saj, dyshimet për ndikim te dëshmitarët ose përsëritje të veprës penale janë supozime dhe nuk mbështeten në prova konkrete. Procesi zgjedhor ka përfunduar dhe rezultatet janë certifikuar, duke eliminuar rrezikun real të këtyre veprimeve.
“Gjykata Supreme ka konstatuar se arsyetimet e dhëna lidhur me rrezikun e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjes së veprës penale janë të natyrës supozuese dhe nuk mbështeten në prova konkrete. Nuk rezulton se ekziston rrezik real që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë apo të përsërisë veprën penale, duke pasur parasysh se procesi zgjedhor ka përfunduar dhe rezultatet janë certifikuar”, thuhet tutje në njoftim.
Gjykata thekson gjithashtu se paraburgimi është masë e fundit dhe duhet të përdoret vetëm në raste të jashtëzakonshme.
