Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është trashëgimtare e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe mbart përgjegjësinë për sigurinë e vendit.
Osmani mbajti fjalim në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku po shënohet 28-vjetori i Epopesë së UÇK-së dhe ku u zhvillua edhe rreshtimi i kuadrateve të FSK-së.
Ajo ka theksuar se Epopeja e marsit 1998 dëshmon se liria fitohet me sakrificë, unitet dhe besim në të drejtën për të jetuar të lirë në vatrat e popullit shqiptar.
“Familja Jashari është altar i lirisë kombëtare dhe krenari e çdo shqiptari. UCK ishte zëri i një populli të shtypur, ishte organizmi i guximit dhe shpresa që u ngrit kundër padrejtësisë, ishte ndërgjegjja kombëtare që nuk pranoi të heshtë. Epopeja e Marsit 98 është dëshmi se liria fitohet me sakrificë, me unitet, me besim në të drejtën tonë për të jetuar të lirë në vatrat tona shekullore.
Sot krenaria jonë nuk qëndron vetëm në të kaluarën. Ajo marshon para nesh me uniformë moderne, profesionalizëm të lartë dhe me përkushtim të palëkundur ndaj Republikës sonë. FSK është trashëgimtare e denjë e UCK, ajo mbartë në zemër idealin e lirisë dhe në duar mban përgjegjësinë e sigurisë së vendit”, ka deklaruar Osmani.
Lexo edhe:
Osmani në Kuvend: Epopeja e UÇK-së është akt themelues i Republikës sonë
