Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka theksuar se është fyese përjashtimi i kategorive të dala nga lufta nga seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Sipas OVL-UÇK-së, është e papranueshme që ata që ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës të mbeten jashtë ceremonisë që i kushtohet sakrificës së tyre, duke u konsideruar si një neglizhencë dhe shpërfillje institucionale.
“Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, është paradoksale që të flitet për lavdinë e UÇK-së brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.