Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar po dërgon katër avionë luftarakë shtesë Typhoon në Katar, për t’iu bashkuar skuadrës ekzistuese britanike në rajon.
Starmer tha se helikopterë Wildcat, të pajisur me sisteme kundër dronëve, do të mbërrijnë nesër në Qipro, ndërsa anija luftarake britanike HMS Dragon po dislokohet në Mesdhe.
Ai konfirmoi gjithashtu se Britania i ka lejuar Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat britanike për operacione mbrojtëse, por jo për sulme ofensivë.
“Ne do ta mbajmë këtë mburojë mbi qytetarët britanikë në rajon dhe mbi aleatët tanë”, tha Starmer, duke shtuar se qeveria britanike po punon çdo ditë për ta forcuar mbrojtjen dhe për të nxjerrë qytetarët nga rajoni i Gjirit.
Sipas tij, deri më tani mbi 140 mijë britanikë në rajon kanë regjistruar praninë e tyre pranë qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ai njoftoi se fluturimi i parë i riatdhesimit nga Omani – i cili ishte planifikuar të nisej dje, por u prish për shkak të problemeve teknike – është tani në ajër dhe tha se rreth 4,000 britanikë tashmë ishin kthyer në shtëpi, raporton BBC.
Kryeministri theksoi se prioriteti kryesor është mbrojtja e qytetarëve britanikë. Ai tha se shumë përpara se të nisnin sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, Britania kishte filluar të dërgonte mjete mbrojtëse në rajon, përfshirë avionë luftarakë, sisteme raketore të mbrojtjes ajrore dhe radarë të avancuar në Qipro dhe Katar.
Sipas tij, sapo nisën sulmet të shtunën, avionët britanikë u ngritën menjëherë në ajër dhe arritën të rrëzonin disa dronë, të paktën njëri prej të cilëve po drejtohej drejt një baze ku ndodhen ushtarë britanikë.
Starmer shtoi se Britania po furnizon vazhdimisht avionët dhe rezervat e saj të raketave, si dhe po u përgjigjet kërkesave për ndihmë nga aleatët në rajon.
Gjatë konferencës për media, ai mbrojti edhe vendimin për të mos iu bashkuar sulmeve fillestare të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
“Fokusi im është të ofroj udhëheqje të qetë dhe të përgjegjshme në interesin kombëtar”, tha ai, duke theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë në sulmet e para ishte i qëllimshëm dhe në përputhje me parimet e Britanisë.
Sipas Starmer, pozicioni i kahershëm i Mbretërisë së Bashkuar është që çështja e Iranit të zgjidhet përmes negociatave, me qëllim që Teherani të heqë dorë nga ambiciet bërthamore.