Analisti i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Eugen Cakolli, ka vlerësuar se si procedura e propozuar për zgjedhjen e presidentit nga populli, ashtu edhe përmbajtja e amendamenteve kushtetuese të dorëzuara nga Presidentja Vjosa Osmani, nuk e adresojnë situatën aktuale politike dhe rrezikun potencial të krijuar nga moszgjedhja e presidentit në Kuvend.
Sipas tij, kërkesa për 80 vota në Kuvend për ndryshime kushtetuese përbën një prag shumë të lartë, pasi kërkon një marrëveshje të gjerë politike jo vetëm mes shumicës parlamentare, por edhe përfaqësuesve të komuniteteve.
Ai ka shtuar se edhe në rast se amendamentet miratohen, zbatimi i tyre praktik do të ishte i kufizuar. Sipas tij, teksti i propozuar parasheh që zgjedhjet presidenciale të shpallen jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, një rregull që është menduar për situata normale institucionale me kalendar të parashikueshëm zgjedhor.
Cakolli theksoi se në rrethanat aktuale kjo formulë nuk mund të zbatohet menjëherë dhe se, edhe nëse amendamenti hyn në fuqi, ai do të kishte efekt praktik vetëm rreth vitit 2031.
“Ideja për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit mund të jetë pjesë e një debati serioz për reformën kushtetuese. Megjithatë, si procedura ashtu edhe përmbajtja e amandamenteve kushtetuese të dorëzuara nga Presidentja Osmani, tregojnë se ajo nuk e adreson situatën aktuale dhe krizën potenciale nga moszgjedhja e Presidentit nga Kuvendi.