Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Osmani, në një konferencë për media, u shpreh se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja, njofton Dukagjini.
Osmani, mes tjerash, u shpreh se situata e mbrëmshme ishte e evitueshme, por sipas saj deputetët e Kuvendit nuk zgjodhën interesin e Republikës.
“Jam këtu përpara jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme, është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës. Prandaj, sot në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës kam nxjerr dekretin e shpërndarjes së Kuvendit”, u shpreh Osmani.
Tutje, Osmani thotë se do të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve që do mbaj me parti politike
“Në këto rrethana, gjuha e Kushtetutës është e detyrueshme. Neni 82 thotë se duhet 30 ditë të zgjidhet para mandatit të presidentit aktual. Është detyrim kushtetues. Kam vendos ta shpërndaj Kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve që do mbaj me parti politike. Normalisht që qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje…këtu e sollën gjendjen njerëz të papërgjegjshëm”, u shpreh Osmani.