U.D. kryeprokurori i Shtetit, Agron Qalaj, priti sot delegacionin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nga Shqipëria, të kryesuar nga drejtuesi Klodjan Braho.
Gjatë takimit u diskutua funksionimi i sistemit prokurorial në Kosovë, sfidat me të cilat përballet, si dhe mënyrat për të përforcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“U.D. Kryeprokurori Qalaj njoftoi delegacionin nga Tirana për funksionimin e sistemit prokurorial, e në veçanti për funksionimin e Prokurorit të Shtetit, për strukturën organizative, për kompetencat e prokurorive, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi prokurorial në realizimin e misionit për sundim të ligjit”, thuhet në njoftim.
Palët riafirmuan angazhimin për koordinim dhe efikasitet në trajtimin e çështjeve me interes të ndërsjellë.
Në delegacionin shqiptar ishin gjithashtu ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, dhe prokurorja në EUROJUST, Fatjona Memçaj.