Pas fillimit të luftës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, në nivel global janë rritur çmimet e derivateve të naftës. Kjo rritje, natyrisht, ka prekur edhe Kosovën. Mirëpo, ka raste kur situata të tilla keqpërdoren për të përfituar kompani të ndryshme nga ngritja e çmimeve.
Lidhur me këtë ka folur në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj.
Ai është shprehur se çdoherë kur ka probleme me rritjen e çmimeve diskutohet mundësia e keqpërdorimit nga kompani të caktuara.
“Sipas informatave të Inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë nuk ka pasur asnjë kompani e cila është gjetur duke keqpërdorur situatën dhe duke i rritur çmimet jashtë normës të cilën ata e kanë nxjerrë me vendim”.
Ai ka thënë se derivatet po futen në Kosovë, sipas informatave të Doganës, me çmim prej rreth 1.41 deri në 1.44 euro.
“Kështu që në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë, sipas institucioneve të Republikës së Kosovës, ne jemi dëshmitarë që është një vendim sipas të cilit çmimi nuk mund të rritet më shumë se 10 cent”, ka thënë ai.