Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi nuk ka nevojë të shkojë sërish në zgjedhje të reja, duke theksuar se prioritet duhet të jetë funksionalizimi i institucioneve dhe arritja e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.
Duke folur për zhvillimet politike, Kurti tha se gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë mbajtur katër procese zgjedhore dhe se përsëritja e një situate të tillë nuk do të ishte e dobishme për vendin.
“Meqenëse mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk po punon Kuvendi i Republikës, dhe në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtojnë së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tash se kush e ka shumicën duruese. LVV ka fituar me 51.1 për qind dhe çështja është të kurojmë prej 81 deputetëve, dhe nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po arrijmë 80 deputetë. Është e domosdoshme që sa më parë të funksionalizohet Kuvendi dhe të mos shkojmë me zgjedhje të reja të panevojshme”, tha Kurti.
Sa i përket deklaratave të presidentes Vjosa Osmani Osmani, Kurti tha se nuk dëshiron të shtojë më shumë sesa kishte deklaruar në konferencën e tij të mëparshme për media.
“Unë nuk kam asnjë qëllim të shtoj nga konferenca për media që ishte para një jave. Nuk besoj që është e nevojshme të përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, unë jam kryeministri i vendit dhe unë besoj që kemi një çështje që tashmë ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksi duhet të vihet tek fakti që në vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk duhet të përsërisim atë në 2025. 2026 është viti i ri, nuk është as e drejtë, as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura; ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, tha Kurti.