Përplasjet dhe sulmet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme kanë rritur ndjeshëm numrin e viktimave në disa vende të rajonit.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet dhe organizata të ndryshme, qindra persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur si pasojë e konfliktit që përfshin disa shtete.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka njoftuar se 773 persona janë vrarë dhe 1,933 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i konfliktit me Izraelin.
Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (Human Rights Activists News Agency – HRANA), me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton se deri më 12 mars të paktën 1,858 persona janë vrarë në Iran.
Nga këta, 1,286 janë civilë dhe 199 pjesëtarë të forcave ushtarake, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Autoritetet izraelite bëjnë të ditur se deri më 10 mars, 12 persona janë vrarë në Izrael si pasojë e sulmeve me raketa nga Irani që nga fillimi i luftës. Sipas ushtrisë izraelite, dy ushtarë izraelitë janë vrarë gjithashtu gjatë luftimeve në Liban.
Numri i viktimave në radhët e ushtrisë amerikane është rritur në 13, pasi gjashtë anëtarë të ekuipazhit të një avioni ushtarak amerikan për furnizim me karburant u konfirmuan të vdekur pasi avioni i tyre u rrëzua në pjesën perëndimore të Irakut.
Forcat paraushtarake shiite të njohura si Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF) kanë bërë të ditur se 27 persona janë vrarë nga sulmet ajrore në Irak që nga fillimi i muajit, sipas raportimeve të BBC Monitoring dhe mediave irakiane.
Po ashtu në Irak, një ushtar nga Franca është vrarë në një sulm me dron në Erbil, ndërsa gjashtë pjesëtarë të tjerë të shërbimit janë plagosur.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe ka bërë të ditur se gjashtë persona janë vrarë që nga fillimi i sulmeve të Iranit. Ndërkohë, në Oman, dy shtetas indianë janë vrarë në një sulm në qytetin Sohar, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë.