Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale ka finalizuar fazën e 87-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, duke arrestuar një shtetas të kërkuar nga Kosova për veprimtari të kundërligjshme në fushën e narkotikëve dhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në Fushë Krujë është arrestuar F. Sh., 36 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, njofton Dukagjini.
Gjykata e Gjakovës ka vendosur më 14 mars 2023 dënimin e tij me 2 vjet burgim dhe 550 euro gjobë, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 4 muaj dhe 10 ditë burgim, për veprat penale: “Posedimi i paautorizuar, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, lëndëve psikotrope dhe substancave analoge” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”
Policia njofton se operacioni u zhvillua në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, duke garantuar kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.