Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj Hajdarit, refuzohet kërkesa për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e saj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit, duke refuzuar kërkesën e mbrojtësve të saj për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas njoftimit të gjykatës, Departamenti Special ka marrë vendim më 13 mars 2026, duke konsideruar kërkesat e mbrojtësve si të pabazuara.

“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, përmes Aktvendimit PS.nr.68/2025 të datës 13.03.2026, ka refuzuar si të pa bazuara kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës, të parashtruar nga mbrojtësit e të pandehurve, të ushtruara ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e evidentuar me shenjën PPPS.nr.35/2023 të datës 11.11.2025, në çështjen penale kundër të pandehurve R.H., I.L., H.G., për shkak të veprës penale Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, R.M. për shkak të veprës penale Ndihma në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, i pandehuri H.G. për shkak të veprës penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 par.1 të KPRK-së, si dhe të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet nga Gjykata.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.

Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të fundit nga rubrika