Chelsea përballet sonte me një sfidë të vështirë ndaj Paris Saint-Germain në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në UEFA Champions League.
Skuadra londineze hyn në këtë takim me disavantazh të madh prej 5-2 nga ndeshja e parë, ku një kolaps në mbrojtje e ktheu rezultatin nga 2-2 në humbje të thellë.
Tani, “Blutë” kanë nevojë për një përmbysje të madhe në shtëpi për të siguruar kualifikimin.
Megjithatë, një motivim për Chelsean mbetet fitorja 3-0 ndaj PSG-së në finalen e Kupës së Botës për Klube tetë muaj më parë, çka mban gjallë shpresat për rikthim.
Në anën tjetër, skuadra e drejtuar nga Luis Enrique është në pozitë shumë komode, duke mbrojtur avantazhin prej tre golash dhe duke qenë pranë kalimit në çerekfinale. Parizienët synojnë të menaxhojnë lojën dhe të ruajnë epërsinë deri në fund.
Mungesat dhe formacionet
Chelsea ka marrë një goditje të rëndë, pasi kapiteni Reece James është i lënduar dhe jashtë për disa javë. Në mungesë të tij, pritet të startojë Malo Gusto. Gjithashtu mungojnë edhe Estevao, Jamie Gittens dhe Levi Colwill.
Një lajm pozitiv për londinezët është rikthimi i Pedro Neto, i cili është i gatshëm për këtë sfidë.
Te PSG, mungon mesfushori Fabian Ruiz për shkak të lëndimit, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Khvicha Kvaratskhelia dhe Nuno Mendes, të cilët rrezikojnë pezullimin nëse ndëshkohen.
PSG ka treguar forcë në ndeshjet si mysafir sezonin e kaluar ndaj skuadrave angleze dhe synon ta konfirmojë këtë edhe sonte në Londër.