Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka pritur këtë të martë në selinë e NATO-s ambasadorin Peter Sorensen, përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e NATO-s, Shekerinska rikonfirmoi përkushtimin e fortë të NATO-s ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin si me rëndësi strategjike për aleancën, njofton Dukagjini.
Po ashtu, ajo theksoi partneritetin ndërmjet NATO-s dhe Bashkimit Evropian në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë nëpërmjet KFOR-it.
“NATO vazhdon të bëjë gjithçka që është e mundur nga ana ushtarake në terren për të garantuar paqen, në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Por zgjidhja përfundimtare për stabilitet të qëndrueshëm rajonal është politike. Për këtë arsye, NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përpjekjet e përfaqësuesit special Sorensen”, u shpreh Shekerinska.
Shekerinska vlerësoi nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe BE-së, duke theksuar se koordinimi i vazhdueshëm është thelbësor për avancimin e dialogut dhe se vendet aleate kanë rënë dakord të rrisin mbështetjen për përpjekjet e Bashkimit Evropian në këtë proces.
Nga ana e tij, ambasadori Sorensen mori pjesë edhe në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku ishin të përfshirë edhe partnerët e NATO-s që kontribuojnë me personel në misionin KFOR.