Tragjedia në Vjenë, MPJD: Jemi në koordinim me familjet për kthimin e trupave në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë detaje lidhur me tragjedinë në Vjenë ku dje humbën jetën tre punëtorë kosovarë.

MPJD-ja bën të ditur sipas informacioneve zyrtare të konfirmuara nga autoritetet austriake, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund të Vjenës gjatë punimeve ndërtimore, ku si pasojë e shembjes së një pjese të konstruksionit, punëtorë kanë mbetur të zënë nën rrënoja, njofton Dukagjini.

Mes tjerash, MPJD-ja thotë se kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të lehtësuar procedurat përkatëse për kthimin e trupave të viktimave në Kosovë.

“Bazuar në konfirmimet zyrtare dhe në informacionet e siguruara përmes kontakteve me familjarët, deri në këto momente është konfirmuar se nga viktimat e identifikuara janë Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj me prejardhje nga Republika e Kosovës. Që nga marrja e informacionit, institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të lehtësuar procedurat përkatëse për kthimin e trupave të tyrë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mes tjerash, u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.

Të fundit nga rubrika