Një aksident trafiku mes një motoçiklete, një kamioni dhe një veture ka ndodhur sot rreth orës 12:10, në rrugën “Transiti i vjetër” në Prizren.
Sipas informacioneve fillestare, drejtuesi i motoçikletës, E.A., rreth 29 vjeç, dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke goditur fillimisht lehtë veturën dhe më pas u përplas nga prapa me kamionin.
Si pasojë e aksidentit, motoçiklisti ka humbur jetën. E.A. u konstatua i vdekur nga ekipet mjekësore në vendngjarje.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë në rajonin e Prizrenit.
Sipas Bytyqit, policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë sigurimin dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.
Në vendin e aksidentit ka qenë edhe prokurori i shtetit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.