Kurti uron Fitër Bajramin: Të jemi më solidarë dhe më të përkushtuar ndaj shoqërisë dhe fëmijëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, mirënjohjes dhe përkushtimit ndaj shoqërisë.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shprehur urimet e tij për këtë festë, duke u lutur që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve të jenë pranuar.

“Mirëmëngjes dhe me fat të gjithëve Fitër Bajrami! Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar!”, ka shkruar ai.

Kreu i qeverisë ka theksuar se kjo ditë feste duhet të shërbejë si moment reflektimi për të qenë më falënderues për të mirat që gëzojmë dhe më solidarë ndaj atyre që kanë më pak.

Ai ka bërë thirrje që përkushtimi ndaj përmirësimit të vazhdueshëm të jetë jo vetëm individual, por edhe shoqëror.

Në mesazhin e tij, Kurti ka vënë theks të veçantë edhe te kujdesi ndaj fëmijëve, duke i cilësuar ata si amanet të shenjtë.

“Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se përkushtimi ndaj fëmijëve duhet të reflektohet në ushqimin, shëndetin dhe edukimin e tyre, duke bërë thirrje që shoqëria të mos presë sprova për të treguar mirësi dhe përgjegjësi.

Të fundit nga rubrika