Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të armëmbajtjes pa leje në raportin e saj 24-orësh, të ndodhura në Fushë Kosovë dhe Gjakovë.
Në fshatin Miradi e Poshtme në Fushë Kosovë, një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në rrugën “Brahim Zeka” në Gjakovë, një person dyshohet se nga pakujdesia ka qëlluar një tjetër me pushkë ajrore. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa arma është sekuestruar nga policia. I dyshuari është arrestuar, por më pas është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Një rast tjetër është regjistruar po ashtu në Gjakovë, në rrugën “Beqir Kastrati”, ku një i mitur është arrestuar pasi i është gjetur një armë e ftohtë (thikë). Edhe në këtë rast, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës vazhdon të bëjë thirrje për respektimin e ligjit dhe dorëzimin vullnetar të armëve pa leje, me qëllim rritjen e sigurisë publike.