Sot më 22 mars në orën 18:00, kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, organizon protestën e radhës kombëtare në Tiranë, me kërkesa kryesore largimin e kryeministrit Edi Rama, formimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Protesta e sotme mbahet në ditën e diel, në një ditë simbolike për demokratët, duke e lidhur me 22 marsin e vitit 1992, datë historike kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet pluraliste pas rënies së komunizmit.
Megjithatë, dita e zgjedhur për protestën përkon edhe me festën e komunitetit bektashi, Sulltan Novruzi.
Gjatë një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha bëri thirrje që të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, të marrin pjesë në protestën e sotme.
Ai e quajti këtë tubim “kryengritjen më të madhe paqësore” të opozitës dhe u kërkoi qytetarëve të tregojnë forcën e tyre në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.
Opozita ka zhvilluar tashmë disa protesta kombëtare para Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë Rama dhe duke akuzuar qeverinë aktuale për korrupsion dhe keqqeverisje. Berisha ka theksuar se ndihma e qytetarëve është detyrim, për të garantuar ndryshimin demokratik në vend./tvklan
