Rritja e çmimit të naftës javëve të fundit, tashmë ka filluar ta shfaqë ndikimin e saj edhe në gjëra të tjera.
Gjatë së hënës çmimi ka shkuar nga 1.71 në 1.79 euro për litër.
Nga kjo javë tashmë janë rritur edhe biletat e udhëtimeve nëpër disa komuna të Kosovës. Por disa kompani, kanë njoftuar se çmimi është rritur edhe në udhëtime drejt vendeve evropiane, bileta për në Austri nga 50 sa ishte është bërë në 60 euro.
Qytetarët thanë se situata po shfrytëzohet nga bizneset ndërkohë që presin reagim nga institucionet përgjegjëse.
“Pak po për standard po, ndikon shumë se nuk kem na kapacitet rrogat janë të vogla për këtë çmim, nëse i kem 2 mijë e 500 euro në rregull, ama i merr 600 a 700 euro atëherë diqysh duhet me ja bë një zgjidhje, qysh të bëhet meja bë.”, ka thënë Gani Hoti- Qytetar.
“Ndikon në gjithçkafin, badihava nuk kemi cka me ba, nuk e kemi ne dore na…Me siguri duhet me marr normal ata, si të rritet nafta rriten tonat në përgjithësi.”, ka thënë Avdi Kodralia- Qytetar.
Teksa çmimet tashmë janë rritur e paralajmërohet për rritje të çmimeve në produkte të tjera, institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos marrin asnjë hap.
Në një përgjigje të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është thënë se inspektorati i kësaj Ministrie është duke monitoruar vendimin për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, teksa u tha se çmimi gjatë së hënës ishte nga 1.59 deri në 1.72 euro për litër, pavarësisht se situata ishte ndryshe në terren.
“Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë, (datë: 21.03.2026), ka qenë si në vijim:
Naftë (Dizel): 1.70 €/litër;
Benzinë: 1.40 €/litër;
Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor, sot, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:
Naftë (Dizel): nga 1.59 €/litër deri në 1.72 €/litër;
Benzinë: nga 1.38 €/litër deri në 1.44 €/litër;
Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon: dy (2) euro/centë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe dymbëdhjetë (12) euro/centë për litër të produktit të shitur me pakicë.” – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
Shtetet e rajonit tashmë kanë ulur akcizën për naftën, për të ndikuar në ulje të çmimit, e diçka e tillë po kërkohet ta bëjë edhe Kosova.
“Qeveria ka mundësi me bë lëvizje nuk ka bërë ne i kemi kërkuar disa forma i kemi dhënë alternative e para është që të hiqet taksa ose të ulet aksiza e derivatet e naftës dhe taksat e tjera përcjellëse që janë që qeveria mund të ndërmarr, e dyta nëse shkon dhe duket se do vazhdojë që kjo krizë të jetë më e gjatë dhe ndikimi i saj duket se do jetë me i thell, hapi tjetër, qeveria të marr veprime për të pezulluar përkohësisht taksat për produketet esenciale.”, ka thënë Kushtrim Ahmeti – Drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Ahmeti thotë se deri tash si përfaqësuesit e bizneseve janë ftuar vetëm në një takim nga ana e institucioneve.
“Na kanë ftuar në një takim për me dhënë komente për me formu një Agjenci të kontrollit ose përcaktimit të çmimeve ne nuk e kemi komoditetin me kriju agjenci ose të themi autoritete të pavarura çfarëdo që janë ato, neve na duhen vendime të shpejta.”, ka thënë Kushtrim Ahmeti – Drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë
Si pasojë e luftës mes SHBA-së e Izraelit me Iranin, çmimet e karburanteve u rritën ndjeshëm, ndërkohë që përveç vendimit për caktimin e marzhës tregtare për produktet e naftës, nuk ka pasur një vendim tjetër nga qeveria deri më tash.
Për këtë dhe masa të mundshme, Dukagjini ka dërguar pyetje në drejtim të Zyrës së Kryeministrit Albin Kurti, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.