Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që 24 marsi të kthehet në datë kombëtare të Republikës, në përkujtim të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.
Ai e ka cilësuar këtë moment si një nga kthesat më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se ndërhyrja e NATO-s dhe sakrifica e popullit të Kosovës për 78 ditë dhe netë “i dhanë Kosovës drejtësinë e vonuar nga qielli”.
Ai shtoi se liria dhe mbështetja e aleatëve nuk janë vetëm kujtime, por një përgjegjësi që duhet ruajtur çdo ditë.
Abdixhiku theksoi se trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare nuk do të ishte thjesht një shenjë kalendari, por një moment për të kujtuar ditën kur historia ndryshoi drejtim për Kosovën, duke forcuar rrugën euro-atlantike të vendit.