Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Serbia përdor një strategji hibride ndaj Kosovës, që shkon përtej dezinformatave.
Ai ka theksuar se lufta hibride përfshin edhe veprime ushtarake konvencionale, si ushtrimet pranë kufirit të Kosovës, dhe angazhimin e grupeve terroriste dhe paramilitare në veri, përfshirë rastet e Banjskës, Ibër-Lepencit.
“Patjetër që është aspekt kërcënues, lufta hibride nuk paraqitet vetëm me një element, nuk janë vetëm dezinformata që dominojnë luftën hibride. Luftë hibride është kur angazhon aspektin konvencional ushtarak siç ishte rasti i ushtrimit që patën në lindje të kufirit tonë. Dhe kur angazhon grupe terroriste dhe paramilitare siç ishin rastet e Banjskës Ibër-Lepencit e të tjera në veri të vendit”, ka deklaruar ai.
Maqedonci, ka folur lidhur me punën e AKI-së, kundër rrjetit të spiunazhit serb.
“Institucionet tona përfaqësojnë të gjitha komunitet përfshirë atë serb, dhe vlerësoj shumë lartë punën dhe angazhimin që AKI dhe drejtori i saj Petrit Ajeti e kanë bërë në drejtim të goditjes së rrjetit të spiunazhit serb në Kosovë. Është hera e parë në Kosovën e pas luftës që ka qenë një goditje e organizuar dhe gjithëpërfshirëse e rrjetit të spiunazhit serb. Dhe kjo ia cenon BIA-s serbe dhe institucioneve të sigurisë serbe qasjen brenda Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se Serbia bashkëpunon me vende autokratike si Rusia dhe po përdor viktimizimin si mjet propagandistik për të justifikuar veprime agresive.
“Presidenti Vuçiq po e shfrytëzon këtë situatë për të fshehur bashkëpunimet e tij dhe për t’i paraqitur si diçka tjetër”, ka deklaruar ministri për Tëvë1.