Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës së Kryesisë, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit politike.
Sipas këtij subjekti politik, zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës është kthimi te qytetari përmes organizimit të zgjedhjeve të reja.
PDK thekson se vetëm një proces i tillë do të siguronte institucione me legjitimitet të plotë dhe një drejtim të qartë politik për vendin.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, gjatë mbledhjes ka theksuar se riorganizimi i brendshëm i partisë është i lidhur drejtpërdrejt me përgatitjen për të ofruar një alternativë të besueshme qeverisëse.
“PDK po riorganizohet për të qenë më afër qytetarëve dhe për të ndërtuar një ofertë të qartë politike që garanton stabilitet dhe zhvillim. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe vendimmarrje të përgjegjshme, jo për improvizime dhe kriza të njëpasnjëshme”, tha Hamza.
“Kryesia e PDK-së ngriti gjithashtu shqetësimin për gjendjen ekonomike në vend, duke vlerësuar se Qeveria po dështon t’i adresojë problemet reale të qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për stabilitet institucional, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, duke u angazhuar që përmes një qasjeje të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse të rikthejë besimin në institucione dhe perspektivën e qartë për vendin”, thuhet në njoftim.