Për një javë i patën mungesë stenda andaj pacientët që nuk kishin probleme emergjente kardiake nuk u mjekuan.
Gati dy javë pas kësaj, Klinika e Kardiologjisë u furnizua me materiale të stendave por jo nga barnatorja qendrore.
Këta të fundit morën hua diku.
“Pas një jave mungesë të stendave në Klinikën e Kardiologjisë kjo e fundit është furnizuar nga spitali i Prizrenit nga i cili kanë huazuar disa llote të stendave”.
Këtë e konfirmuan edhe nga Qendra Klinike Universitare të cilët një javë më parë thanë që furnizimi do të bëhet përmes operatorëve ekonomik.
“Ju informojmë që të gjitha kërkesat për porosi për materialin për Klinikën e Kardiologjisë janë lëshuar nga menaxheri i kontratës dhe jemi në pritje të liferimit nga ana e Operatoreve Ekonomik. Ndërkohë jemi furnizuar nga Spitali i Prizrenit me një sasi të materialeve të nevojshme deri në furnizimin e rregullt”, thuhet nga QKUK.
E, nga Spitali i Prizrenit përmes një përgjigje me shkrim për televizionin treguan sasinë e materialit të stendave që dërguan në QKUK.
“Ne i kemi huazuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës 231 stenta, 130 katetera diagnostik dhe 115 balona, mbarëvajtja e intervenimeve këtu nuk rrezikohet meqë ne posedojmë sasi të mjaftueshme”.
Televizioni ka kërkuar një qëndrim nga Klinika e Kardiologjisë nëse materiali është i mjaftueshëm për pacientët që janë në pritje por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.