Gjatë gërmimeve të zhvilluara në Rahovec janë gjetur mbetje eshtërore, për të cilat dyshohet se i përkasin së paku një personi të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998–1999).
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, gërmimet janë kryer nga njësitë kompetente policore në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa mbetjet e gjetura dyshohet se i përkasin një individi që figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës.
Mbetjet eshtërore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore për identifikim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se punimet dhe hetimet në vendin e ngjarjes janë duke vazhduar.
Ndërkohë, së fundmi janë identifikuar dhe rivarrosur edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës – Bali (Pajazit) Gashi, Fadil (Shaban) Elezaj dhe Masar (Ymer) Dushi. Ata janë identifikuar përmes analizës së ADN-së, pasi mbetjet e tyre mortore ishin zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin, ndërsa rivarrimi është bërë më 27 shkurt në Klinë.