Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar hetim të menjëhershëm lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë, duke ngritur dyshime për keqllogaritje që, sipas tij, po i kushtojnë më shtrenjtë qytetarëve.
Abdixhiku ka thënë se verifikimi i 884 njehsorëve nga aktivistët e LDK-së ka nxjerrë rezultate shqetësuese, ku 87% e tyre dyshohet se nuk e llogarisin saktë kohën, duke faturuar energjinë me tarifa të larta edhe gjatë orëve të natës.
“Kjo nuk është më rastësi. Është dështim sistemik”, ka deklaruar ai, duke shtuar se qytetarët nuk po paguajnë më shumë për shkak të konsumit, por për shkak të, siç e quan ai, problemeve në sistemin e matjes.
LDK ka kërkuar hetim të menjëhershëm institucional, përgjegjësi për institucionet përkatëse, kompensim për qytetarët e prekur, si dhe pezullim të çdo rritjeje të tarifave deri në sqarimin e plotë të situatës.
Abdixhiku ka bërë thirrje që qytetarët të kontrollojnë njehsorët e tyre dhe ka paralajmëruar se çështja do të ndiqet në të gjitha nivelet institucionale.