Tashmë kanë kaluar mbi 1 javë e ende nuk është marr asnjë veprim konkret nga institucionet e Kosovës në lidhje me rastin e 5 vjeçarit, që u keqtrajtua nga prindërit e tij, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.
Në Ministrinë e Punës dhe Familjes, nuk kanë treguar se kur njësia Inspektuese do të dorëzojë raportin përfundimtar, mbi trajtimin e këtij rasti nga qendra për punë sociale në Lipjan.
“Siç jeni në dijeni, në dy konferencat tona, e kemi shpjeguar që menaxhimi i QPS-ve është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e komunave. Theksojmë që fëmijët janë vendosur në formën e mbrojtjes dhe për ta janë duke u ofruar shërbimet e nevojshme sipas nevojave individuale. Njësia Inspektuese, po kryen hetimet në përputhje me përgjegjësitë ligjore, do të ju njoftojmë me kohë për çdo veprim që ndërmarrim.”-Ministria e Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare
Zyrtarë të Komunës së Lipjanit, nuk janë përgjigjur gjatë javës nëse edhe ata janë duke zhvilluar ndonjë inspektim meqenëse QPS-të menaxhohen nga komunat.
QPS-ja në Lipjan e kishte në trajtim këtë familje që nga viti 2013, derisa fëmijët iu ishin marr shpesh, por që në vitin 2023 iu ishin kthyer me vendim Gjykate.
Vehbi Mujku, ekspert i çështjeve sociale thotë se Ministria duhet të bëjë inspektime të rregullta në QPS.
“Në rast se shikohen raportet e ministrisë kryesisht inspektimet bëhen inspektime të jashtëzakonshme dhe kur ndodhin disa raste kur bëhen publike, përndryshe inspektime të rregullta të cilat duhet të bëhen në vazhdimësi në QPS, numri është shumë i vogël sepse edhe ministria nuk ka ndonjë staf adekuat qe do merret në mënyre konstante me kryerjen e inspektimeve, duhet të kryhen në faza të rregullta para se të ndodhë diçka.”, ka thënë Vebi Mujku – Ekspert i çështjeve sociale
Mujku shton se niveli qendror vazhdimisht neglizhon kërkesat e qendrave për punë sociale.
“Paraprakisht ministria e di saktësisht se cila është gjendja në qendrat për punë sociale dhe secili inspektim në secilën qendër apriori dihet se do të dalë negativ sepse ka mungesë të madhe të pajisjeve të stafi, të burimeve njerëzore pastaj edhe pjesës tjetër siç janë strehimoret apo shtëpitë për mbrojtjen e fëmijëve.”, ka thënë Vebi Mujku – Ekspert i çështjeve sociale
Lëndime të rënda në shputa të këmbëve iu shkaktuan një 5 vjeçari nga prindërit e tij. Tashmë për këtë rast, Prokuroria në Prishtinë është duke hetuar edhe zyrtarë të QPS-së dhe Komunës në Lipjan.
