Rama kërkon hetim nga Prokuroria për shembjen e dheut, pezullon inspektorët e përfshirë

Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, ka reaguar pas rrëshqitjes së dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, duke bërë të ditur se ndodhet në terren së bashku me ekipet komunale dhe Policinë.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë procedurat hetimore për zbardhjen e rastit, duke ofruar bashkëpunim të plotë institucional dhe qasje në çdo informacion të nevojshëm.

Rama ka njoftuar gjithashtu se ka kërkuar nga Drejtoria e Inspeksionit pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë në këtë rast, si dhe ndalimin e çdo përfshirjeje të tyre deri në përfundim të hetimeve.

“Kërkoj nga Prokuroria që të nisë menjëherë procedurat hetimore! Ofroj bashkëpunim të plotë institucional dhe qasje në çdo informacion që është i nevojshëm për zbardhjen e rastit. Nga Drejtoria e Inspeksionit kam kërkuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë dhe ndalimin e çdo përfshirjeje të tyre në këtë rast deri në përfundim të hetimeve!”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, është kërkuar edhe nisja e një hetimi të brendshëm për të verifikuar raportet e inspektimit, kontrollet në terren dhe për të identifikuar çdo lëshim apo neglizhencë të mundshme.

Ai paralajmëroi se nëse konstatohen shkelje, do të merren masa të menjëhershme, deri në largim nga puna dhe ndjekje penale.

Kryetari theksoi se janë në koordinim të vazhdueshëm me Policinë, e cila ka angazhuar të gjitha njësitë për menaxhimin e situatës dhe ruajtjen e rendit publik në zonë.

Rama u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen në këtë pjesë deri në stabilizimin e plotë të gjendjes.

KRU “Prishtina” për shembjen e dheut: Dyshohet se u shkaktua nga gërmimet

Të fundit nga rubrika