Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes se Kryesisë së Kuvendit, ka deklaruar se seanca e radhës plenare pritet të mbahet të enjten.
Tahiri ka thënë se në mbledhje nuk është diskutuar çështja e zgjedhjes së presidentit, duke kritikuar mungesën e një procesi të qartë politik për këtë temë.
Ai ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk ka ndërmarrë hapa për të ndërtuar një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se për këtë nevojiten 80 vota në Kuvend.
Ai ka shtuar se një proces i tillë nuk është nisur qëllimisht, pasi sipas tij nuk është kërkuar konsensus mes partive.
Tahiri gjithashtu ka deklaruar se AAK nuk do të marrë pjesë në takime “një me një” me Kurtin, duke i quajtur ato jo serioze.
“Me 66 vota atëherë edhe tash, për me i’a dhanë Kosovës një president. Nuk ka kuptim me i qit edhe njëherë 1 milion popull me votu për shkak se një formacion politik ka dëshirë që ta merr edhe një institucion të pavarur siç asht presidenti. Nuk i ka 80 vota për president. I ka 66 vota për qeveri, ja paftë hajrin. Për me u ba presidenti i Kosovës, duhesh me i pas 80 vota. Për me i pas 80 vota, duhesh me arrit një marrëveshje. Këtë marrëveshje nuk e ka dashtë për shkak se i ka dashtë dy njerëz të partisë t’vet. Qaq asht kjo punë e thjeshtë. Nuk ka kurrfarë, po mundohemi me një farë konspiracioni ‘u takuen kta, u takuen kta’. S’ka dashtë! Me pas dashtë, ishte u nis procesi i konsultimit n’fillim, nji tryezë, kisht diskutu çfarë profili, çfarë kriteri, çfarë potenciali duhet me pas. Nuk ka dashtë. A për me hy në një spektakël publik për qëllime politike? ”, ka deklaruar ai, transmeton EO.
Sipas tij, në këtë mbledhje është diskutuar edhe çështja e një ekspozite, të cilën e ka cilësuar si “dështim dhe lëshim serioz institucional” që duhet të trajtohet nga institucionet përgjegjëse.