Vendet e Gjirit kanë shprehur mbështetjen e tyre për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që autorizon përdorimin e “të gjitha masave të nevojshme” për të garantuar sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.
Formulimi “të gjitha masat e nevojshme”, i përdorur shpesh nga Kombet e Bashkuara, nënkupton edhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake për të siguruar kalimin e lirë të anijeve në këtë zonë strategjike, shkruan Times of Israel.
Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit, sekretari i përgjithshëm i Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, Jassim Albudaiwi, deklaroi se sulmet hakmarrëse të Iranit ndaj fqinjëve të tij kanë tejkaluar “të gjitha vijat e kuqe”, duke rritur tensionet në rajon.
Ai theksoi gjithashtu se gjashtë vendet anëtare të GCC-së duhet të përfshihen në çdo diskutim apo marrëveshje me Iranin që lidhet me sigurinë rajonale.
Ndërkohë, Bahreini, i cili aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit dhe është anëtar i GCC-së, ka bërë të ditur se synon të shtyjë për votim të premten një rezolutë që u kërkon shteteve të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” për të garantuar tranzitin ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.
Megjithatë, iniciativa përballet me kundërshtime nga Rusia dhe Kina, të cilat kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, duke e bërë të pasigurt miratimin e rezolutës.
