Rusia rekruton burra të dehur ndërsa kriza e fuqisë ushtarake arrin kulmin

Kur Egor Sabiniç (33) më në fund u kthjellua pas një nate pijesh me miqtë në Petrozavodsk, një qytet në veri të Rusisë, ai mendoi se ndodhej në një qendër detoksikimi. Më vonë kuptoi se, në fakt, ishte në një zyrë mobilizimi ushtarak.

Ky baba i katër fëmijëve thuhet se ishte ndaluar nga policia dhe, ndërsa ishte në gjendje të dehur, pa vetëdije kishte nënshkruar një kontratë detyruese ushtarake.

“Ishte mashtruar”, tha një i afërm për Radio Evropa e Lirë.

“Jam i sigurt që nuk kishte asnjë ide se çfarë po nënshkruante.”

Grupet ruse për të drejtat e njeriut theksojnë se raste të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ku burra të dehur thuhet se detyrohen ose mashtrohen për të nënshkruar kontrata ushtarake. Sergej Krivenko nga organizata “Qytetari dhe Ushtria” tha për REL se organizata e tij po merr gjithnjë e më shumë raportime të tilla.

“Ose ata (rekrutuesit) nënshkruajnë në vend të tij ndërsa ai është i dehur – duke i lëvizur dorën – ose e bindin ta bëjë këtë”, tha ai.

“Pastaj, kur të kthjellet, rekrutuesi i thotë: ‘Shiko, ke nënshkruar, kjo është. Tani ose shkon në njësi ose në burg. Eja me mua ose shko pas hekurave’”, shtoi Krivenko.

Raportet tregojnë se ushtria ruse po përballet me mungesë të theksuar të personelit.

“Shkalla e humbjeve të Rusisë e ka tejkaluar shkallën e rekrutimit në janar 2026, pas viteve kur rekrutimi arrinte objektivat”, njoftoi Instituti për Studimin e Luftës (ISW).

Që nga nisja e pushtimit të përgjithshëm të Ukrainës, Moska vetëm një herë, në vitin 2022, ka shpallur mobilizim të pjesshëm në nivel kombëtar.

Meqenëse ky dekret nuk është tërhequr kurrë zyrtarisht, Kremlini ka vazhduar të plotësojë forcat përmes fushatave të vazhdueshme të rekrutimit.

Këto përfshijnë të burgosur, persona nën hetim penal dhe shtetas të huaj.

Ndërsa disa ushtarë të kontraktuar tërhiqen nga pagat dhe bonuset e larta, grupet për të drejtat e njeriut thonë se po përdoret gjithnjë e më shumë presion, përfshirë atë psikologjik dhe fizik, për t’i detyruar rekrutët dhe ushtarët aktivë të nënshkruajnë kontrata me afat të pacaktuar. Një avokat lokal, që kërkoi të mbetet anonim, tha për REL se policia – ndonjëherë me pretekste të rreme – u paraqet kontrata personave të dehur.

“Në disa raste, polici i jep një kontratë një personi të dehur dhe i thotë se është një dokument kontrolli. Ai e nënshkruan dhe më pas kupton se është regjistruar në ushtri”, tha avokati.

Ai shtoi se ka dorëzuar ankesa në gjykata dhe prokurori në disa raste të tilla: “Edhe nëse personi nuk e ka nënshkruar, derisa ta provosh këtë, mund të kesh vdekur disa herë në luftë.”

Alkooli, droga dhe bixhozi

Ka gjithnjë e më shumë raportime për rekrutë që përballen me varësi nga alkooli, droga dhe bixhozi.

“Situata çdo vit bëhet më e trishtë”, tha për REL analisti ushtarak Aleksej Alshanski nga projekti “Mirupafshim armë”.

“Fokusi është zhvendosur nga qytetet e mëdha në fshatra dhe zona rurale. Atje, forcat e sigurisë – duke përdorur automjete policie ose të Komitetit Hetimor – qarkullojnë me lista të përpiluara nga autoritetet lokale, duke kërkuar posaçërisht persona me varësi nga alkooli”, tha ai.

Grupet për të drejtat e njeriut theksojnë se vetëm rekrutimi përmes pagesave po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Për këtë arsye, rekrutuesit, për të përmbushur kuotat, nuk hezitojnë të përfshijnë edhe persona me varësi, pasi marrin bonuse për çdo rekrut.

“Cilësia po bie: oficerët e rekrutimit tani ankohen për alkoolistë, narkomanë dhe të varfër”, shkroi në shkurt Nigel Gould-Davies nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Udhëheqjes ushtarake ruse i duhet ‘mish për top’, jo ushtarë të kualifikuar”, tha për REL eksperti ushtarak Pavel Luzin nga Shkolla Fletcher për Drejtësi dhe Diplomaci.

Duke pasur parasysh jopopullaritetin e një mobilizimi të ri, pritet që Kremlini të shmangë shpalljen formale të tij. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, ka këmbëngulur se Rusia nuk planifikon një mobilizim të ri.

“Debati kryesor brenda elitës ushtarake ruse nuk është për një valë tjetër mobilizimi të pjesshëm, por për fokusimin e të gjitha burimeve në luftë”, tha Luzin.

“Në fakt, po diskutohet për një model të plotë administrativ-komandues dhe për dizajnin e tij institucional”, shtoi ai.

Të fundit nga rubrika