Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.
Sipas IPK-së, mbrëmë janë pranuar informacione se një zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se ka ushtruar dhunë në familje në Pejë.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendngjarje dhe kanë intervistuar viktimën e rastit, bashkëshorten e të dyshuarit.
Pas veprimeve fillestare hetimore dhe në koordinim me prokurorin kompetent, me vendim të këtij të fundit, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
IPK ka bërë të ditur se ndaj tij është ndërmarrë edhe masa e suspendimit nga detyra, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore.
Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.