Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbetet optimist për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit, pavarësisht se takimi i fundit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar rezultat konkret.
Pas takimit, Kurti tha se diskutimet kanë qenë konstruktive dhe se ekziston vullnet për të shmangur zgjedhjet e reja, duke shprehur shpresën që një marrëveshje të arrihet brenda tri javëve të mbetura të afatit kushtetues.
Ai theksoi se atmosfera në takim ka qenë konstruktive dhe se ekziston gatishmëri për të shmangur zgjedhjet, të cilat, sipas tij, nuk janë zgjidhje.
“Ndodhemi tani ku ndodhemi, unë vazhdoj të jem optimist se me takime dhe bisedime të këtilla do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them që e kemi sot. Vetëm se atmosfera konstruktive në njërën anë, dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja që nuk janë zgjidhje e re në anën tjetër më bën optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në ditën apo nganjëherë siç po bëhen në institucionet tona në orën e fundit”, ka deklaruar Kurti.
Kurti shtoi se në këtë fazë nuk do të bëhen publike detaje nga diskutimet apo emra konkretë, përderisa nuk ka një marrëveshje mes palëve.
“Nuk mund të flasim për mendime të cilat i flasim aty e të cilat as nuk kanë sjellur dështim pro as sukses përderisa jemi në këtë fazë gjithmonë do të iu njoftojmë për takimet që bëjmë. Mirëpo nuk flasim për emrat konkret të cilat nuk kanë rezultuar me një marrëveshje politike në këtë rast midis LVV dhe LDK”, ka deklaruar Kurti.
Ai bëri të ditur gjithashtu se do të përpiqet të zhvillojë takim edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, në përpjekje për të arritur një zgjidhje të përbashkët.
Kurti: PDK-ja kërkoi që t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër
