Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar për një thellim të krizës politike në vend në rast se vendi shkon sërish në zgjedhje.
Në një reagim publik, Bajrami ka deklaruar se në një skenar të ri zgjedhor, Kosova mund të përballet me pamundësi për të siguruar votat e nevojshme jo vetëm për zgjedhjen e presidentit, por edhe për konstituimin e Kuvendit.
Sipas saj, situata rrezikon të kalojë “prej bllokade në bllokadë, prej krize në krizë”.
“Në vitin 2021, as nuk i kanë pasë 80 vota të sigurta, as kandidatja s’ka qenë konsensuale. Sot, Kurti po kërkon figurë jopartiake/unifikuese dhe garanci me 85 vota.
Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë në zgjedhje prapë, as vota për kryetar të Kuvendit s’ka me pasë, e lëre më për president.
Pra, prej bllokade në bllokadë, prej krize në krizë, me rëndësi Kurti të ketë kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet.
Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.