Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se projekti për rikthimin e ski-liftit në Gërmi po hyn në fazën e konkretizimit, duke e cilësuar atë si një ndër nismat më të rëndësishme për zhvillimin e hapësirave rekreative në kryeqytet.
Sipas tij, rikthimi i teleferikut nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por një kthim i një ndjenje dhe tradite që shumë qytetarë e kujtojnë, si dhe një mundësi e re për gjeneratat e ardhshme për të shfrytëzuar Gërminë për sporte dimërore dhe aktivitete rekreative.
Në një takim të zgjeruar me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizatave rekreative dhe institucioneve relevante, janë diskutuar hapat konkretë për realizimin e projektit, i cili sipas Ramës tashmë po merr drejtim të qartë zhvillimor.
Ai theksoi se, duke qenë se Gërmia është zonë e mbrojtur, çdo ndërhyrje do të bëhet në përputhje të plotë me standardet më të larta mjedisore dhe kuadrin ligjor në fuqi.
Sipas tij, në koordinim me institucionet qendrore po punohet për qartësimin e procedurave dhe krijimin e bazës ligjore e teknike për jetësimin e projektit.
“Në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore, po punohet intensivisht për qartësimin e procedurave dhe krijimin e bazës së nevojshme ligjore dhe teknike për jetësimin e këtij projekti. Një zhvillim i madh është në horizont”, ka njoftuar Rama në Facebook.