Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, priti sot në takim deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, si dhe Kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me një delegacion përfaqësues nga Lugina.
Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë takimit u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme institucionale për Luginën e Preshevës në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, kulturën dhe zhvillimin institucional, me theks të veçantë në përkrahjen për studentët dhe specializantët, njofton Dukagjini.
Po ashtu, Haxhiu, Kamberi e Sinani trajtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.
Ndër çështjet kryesore të ngritura ishin pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, gjuha e urrejtjes dhe pengimi i qasjes në fonde, të cilat vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze.
Në përfundim, palët u dakorduan për vazhdimin e angazhimit institucional me qëllim adresimin e këtyre sfidave dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.