Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se vendet anëtare të aleancës po i përgjigjen kërkesave të Donald Trump për forcimin e NATO-s, edhe pse disa prej tyre fillimisht kanë qenë të ngadalta në ofrimin e mbështetjes për SHBA-në në përballjen me Iranin.
Gjatë një fjalimi në Uashington, Rutte tha se në momentin kur u kërkua mbështetje logjistike dhe ndihmë tjetër për operacionet amerikane, disa aleatë reaguan me vonesë.
“Kur erdhi momenti për të ofruar mbështetjen logjistike dhe forma të tjera ndihme që Shtetet e Bashkuara kishin nevojë në Iran, disa aleatë ishin paksa të ngadalshëm, për të thënë të paktën. Në njëfarë mënyre, kjo ndodhi edhe sepse ata u befasuan. Për të ruajtur elementin e surprizës për goditjet fillestare, Presidenti Trump zgjodhi të mos i informojë aleatët paraprakisht”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas tij, situata tashmë ka ndryshuar dhe mbështetja është rritur ndjeshëm.
“Por ajo që shoh sot, kur vështroj në të gjithë Europën, është se aleatët po ofrojnë një mbështetje masive”, tha Rutte.
“Pothuajse pa përjashtim, vendet aleate po bëjnë gjithçka që kërkojnë Shtetet e Bashkuara. Ata i kanë dëgjuar dhe po i përgjigjen kërkesave të Presidentit Trump”.