Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është paraqitur në gjykatë, ku po mbahet seanca gjyqësore lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018.
Pas fjalës hyrëse të prokurorit të shtetit, i cili deklaroi se gjatë procesit do të provohet se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se duhet të shpallet fajtor, Sveçla reagoi duke thënë se para kësaj gjykate do të duhej të përballeshin persona të tjerë.
Ai theksoi se ndër shkeljet më të rënda, juridike, politike dhe historike, sipas tij, është falja apo shitja e territorit të Kosovës.
“Ndër shkeljet më të rënda, qoftë juridike, qoftë politike, qoftë historike është falja apo shitja e territorit të vendit. Prokurori i shtetit, në vend që të merret me aksione politike, do të duhej t’i përndiqte të gjithë qeveritarët dhe të gjithë ata që e kanë votuar këtë shkelje, faljen apo shitjen e territorit të Kosovës”, deklaroi Sveçla para gjykatës.
Sveçla gjithashtu u shpreh se nuk beson në drejtësi, çka nxiti reagimin e gjyqtarit të çështjes. Ky i fundit i tha se nëse nuk ka besim në drejtësi, atëherë ka të drejtë të paraqesë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit nga rasti.
Në përgjigje, ministri sqaroi se deklarata e tij nuk kishte të bënte me gjykatën, por me prokurorin e shtetit.