Grupi militant shiit Hezbollah i ka bërë thirrje qeverisë së Libanit që të mos hyjë në negociata të drejtpërdrejta me Izraelin, pas vrasjes së 13 pjesëtarëve të sigurisë libaneze në Nabatiyeh të premten.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të njohin rrezikun e rrugës së lëshimeve ndaj një armiku që nuk kupton asgjë përveç forcës, dhe të kthehen në pozicionin e tyre natyror përkrah popullit të tyre dhe rezistencës”, thuhet në deklaratën e grupit të publikuar në Telegram, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se Libani ka bërë “kërkesa të përsëritura” për negociata.
Ai shtoi se ka urdhëruar kabinetin e tij të nisë bisedime “të drejtpërdrejta” me Libanin, me synimin për çarmatimin e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ndërkohë, një zyrtar libanez i tha CNN se “nuk do të ketë negociata nën zjarr” dhe se autoritetet nuk janë njoftuar zyrtarisht për ndonjë proces bisedimesh.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, ditët e para të armëpushimit me Iranin kanë qenë ndër më vdekjeprurëset që nga shtatori i vitit 2024, me të paktën 357 të vrarë dhe 1,223 të plagosur nga sulmet izraelite.