Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar për vdekjen e ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh të kombit shqiptar dhe një mbështetës të palëkundur të Kosovës.
Kurti vlerësoi rolin e tij në periudhat më të vështira për shqiptarët, duke theksuar se Engel nuk e kurseu asnjëherë angazhimin për mbrojtjen dhe avancimin e çështjes së Kosovës në institucionet më të larta amerikane, njofton Dukagjini.
Mes tjerash, Kurti thotë se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i sakrificës së popullit dhe mbështetjes së aleatëve perëndimorë, ku kontributi i Engel zë një vend të veçantë.
Ai e përshkroi ish-kongresistin si përfaqësues të bindjes se liria dhe të drejtat e njeriut janë themel i çdo shoqërie demokratike.
Në fund, kryeministri shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar se mirënjohja për kontributin e Engel në kauzën shqiptare do të mbetet e përhershme.