Eksperti i sigurisë Korab Blakaj ka kritikuar ashpër Prokuroren, pas raportimeve për lirimin e personave që dyshohet se kanë shpërndarë materiale që glorifikojnë sulmin terrorist në Banjska dhe figurat e lidhura me të.
Përmes një reagimi në Facebook, Blakaj ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si institucionet po trajtojnë raste të tilla, duke theksuar se çdo zbutje ndaj propagandës ekstremiste është e rrezikshme për sigurinë e vendit.
Ai ka përmendur se në një kohë kur ende janë të freskëta plagët e sulmit ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku, vendime të tilla dërgojnë mesazh të gabuar në shoqëri.
Blakaj ka vënë në pikëpyetje vendimin e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, duke pyetur nëse po normalizohet propaganda ekstremiste dhe nëse po zbehet ndarja mes ligjit dhe tolerimit të dhunës.
Sipas tij, përmendja e emrave si Milan Radojçiq dhe Vladimir Radivojeviq tregon se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për çështje që prekin sigurinë kombëtare.
“Drejtësia nuk mund të jetë neutrale përballë terrorit. Ose është në anën e shtetit dhe qytetarëve ose është bërë pjesë e problemit”, ka shkruar ai, duke kërkuar përgjigje të qarta nga institucionet.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e reagimit institucional rrezikon të shndërrohet në krizë besimi ndaj drejtësisë.