Nisin bisedimet SHBA-Iran në Islamabad

Bisedimet mes negociatorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë nisur në Islamabad të Pakistanit, kanë raportuar mediat.

Pakistani është mikpritës i negociatave kyç mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, teksa në fuqi është armëpushimi i brishtë, i arritur më 7 prill.

Nuk është ende e qartë nëse takimet janë ballë për ballë apo nëse ekipet e SHBA-së dhe Iranit janë në dhoma të ndara dhe ndërmjetësit pakistanezë këmbejnë mesazhet mes palëve.

Pavarësisht formatit të bisedimeve, këto janë negociatat e nivelit më të lartë mes dy vendeve që nga Revolucioni Islamik në Iran më 1979.

Delegacioni amerikan përfshin të dërguarit e posaçëm, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, si dhe zyrtarë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni. Ata përballen me një ekip iranian të udhëhequr nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi dhe kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf.

Më herët gjatë ditës, kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, zhvilloi bisedime të ndara me nënpresidentin amerikan, JD Vance, në Islamabad, pasi paraprakisht takoi edhe delegacionin iranian, duke nisur kështu përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin.

Megjithatë, detaje për takimet ende nuk ka.

Teksa negociatat po vazhdojnë në Pakistan, një postim i presidentit amerikan, Donald Trump, në rrjetet sociale dhe raportimet nga mediat shtetërore iraniane vunë në pah natyrën e tensionuar të bisedimeve.

Trump shkroi në Truth Social se “ne tani po e pastrojmë Ngushticën e Hormuzit”.

Ai nuk dha detaje të tjera, ndonëse postimi i tij vjen pasi Axios raportoi se luftanijet amerikane kanë kaluar përmes Hormuzit për herë të parë që kur nisi lufta më 28 shkurt. Ndërkaq, The Wall Street Journal raportoi se dy luftanije amerikane kaluan përmes ngushticës, por mediat shtetërore iraniane mohuan praninë amerikane në këtë rrugë ujore. Sipas tyre, një anije amerikane u detyrua të kthehej pasi u paralajmërua se do të sulmohej nëse nuk ndryshonte kursin.

Më herët gjatë së shtunës, televizioni shtetëror iranian raprotoi se është paraparë që fillimisht të diskutojnë për “premtimin e shkelur” të Shteteve të Bashkuara – që me gjasë është referencë për sulmet e Izraelit në Liban kundër Hezbollahut, grup i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Teherani thotë se sulmet janë shkelje e armëpushimit të arritur me SHBA-në më 7 prill, nën ndërmjetësimin e Pakistanit. Uashingtoni argumenton njëjtën gjë për bllokadën, pothuajse të plotë, të Ngushticës së Hormuzit.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, ndodhet në sfidën më të rëndësishme diplomatike të mandatit të tij, pasi në Islamabad po udhëheq delegacionin amerikan në negociatat me iranianët.

Këto bisedime mund të përcaktojnë përfundimisht nëse armëpushimi i brishtë dyjavor do të respektohet, apo nëse rajoni do të rrëshqasë sërish drejt një konflikti të ri.

Në Uashington, presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 10 prill për gazetarët se pret përparim që do të “hapë Gjirin Persik me ose pa” një marrëveshje formale, teksa paralajmëroi se nuk do të lejojë që Irani të vendosë tarifa apo të kontrollojë në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, teksa negociatat nisën më 11 prill, rruga drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme mbetet e pasigurt, e formësuar nga presione konkurruese, dinamika të konfliktit rajonal dhe mospajtime thelbësore mbi kushtet për paqe.

Shija e redaktorit

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Të fundit nga rubrika