Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grabitje e armatosur ka ndodhur të shtunën në fshatin Zym të Prizrenit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë dy persona teksa po udhëtonin me veturë janë ndalur në rrugë për t’i hequr disa gurë në rrugë teksa dyshohet se janë përballur me dy persona të armatosur me armë të tipit AK-47, njofton Dukagjini.
Të dyshuarit u kanë grabitur një shumë parash dhe kanë ikur në drejtim të panjohur teksa policia ka nisur hetime lidhur me këtë rast.
“Dy viktimat meshkuj kosovar derisa kanë qenë me veturë duke udhëtuar në rrugë kanë hasur në pengesa me gurë dhe pasi janë ndalur, kanë dalur nga vetura për ti largua pengesat, dyshohet se dy persona të panjohur të armatosur- me AK-47 u kanë grabitur një shumë parash, dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur duke shtënë me armë në drejtim të pyllit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë dhe kanë gjetur e konfiskuar një gëzhojë të fishekut. Lidhur me rastin janë intervistuar dy të dyshuar meshkuj kosovar të cilëve u janë sekuestruar dy telefona dhe pas intervistimit në mungesë të provave lidhur me rastin me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullte. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.