Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar njëra-tjetrën të dielën për shkelje të armëpushimit 32-orësh të shpallur për Pashkët Ortodokse në luftën që po zgjat prej katër vitesh, duke raportuar qindra sulme me dronë dhe bombardime vetëm disa orë pas hyrjes në fuqi të tij.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se ka regjistruar 1,971 shkelje të armëpushimit gjatë natës deri të dielën, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka raportuar 479 sulme me artileri dhe mbi 1,700 sulme me dronë nga forcat ruse, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Sipas kalendarit të Kishës Ortodokse, që ndiqet gjerësisht në të dy vendet, Pashkët këtë vit shënohen të dielën.
Një ushtar i Brigadës 65 të Ukrainës, që lufton në rajonin e Zaporizhzhias, ka deklaruar se dronë zbulues rusë kanë vazhduar të qarkullojnë në zonë pavarësisht armëpushimit, duke penguar edhe evakuimin e trupave të ushtarëve të rënë.
Ndërkohë, Rusia ka thënë se një fëmijë është plagosur gjatë një sulmi me dron ukrainas në rajonin e Kurskut, ndërsa guvernatori i rajonit Belgorod, Vyacheslav Gladkov, ka raportuar se dy persona janë vrarë nga bombardimet ukrainase.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës ka njoftuar se dy civilë janë plagosur nga një sulm me dron rus në rajonin e Kharkivit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se armëpushimi ishte një “gjest humanitar” nga presidenti rus Vladimir Putin, por se forcat ruse do të rifillojnë luftimet sapo ai të përfundojë.
Sipas tij, Putin ka urdhëruar ushtrinë të mbetet në gatishmëri të lartë në rast provokimesh.
Presidenti rus Vladimir Putin kishte shpallur armëpushimin e përkohshëm më 9 prill, i cili pritet të përfundojë në mesnatë sipas kohës lokale, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte pranuar marrëveshjen.